Saturday, November 3, 2012

Mesazhi në shishe lundroi për tetë vjet nga Kanadaja në Irlandë

Oisin Millea mezi arrin të besojë se sa me fat ishte dhe çfarë fame të papritur kishte bërë, duke kontrolluar nëpër “mbeturina” përgjatë brigjeve të detit, fare pranë shtëpisë së tij në Irlandë.
Djaloshi nëntëvjeçar, bashkë me nënën e tij fotoreportere, Aoife Millea (31), po kërkonte nëpër mbeturina që i kishte sjellë deti në brigj et e fshatit të vogël të Passages lindore, County Waterford, javën e kaluar, kur zbuloi një shishe plastike dylitërshe të gjelbër me diçka brenda saj. Doli se gjëja që ishte brenda shishes ishte një mesazh, i shkruar në frëngjisht, nga dy vajza dymbëdhjetëvjeçare nga Montreali, Charlaine dhe Clauddia, të cilën ato më pas e kanë vendosur në shishe në Gjirin e Shën Lawrences më 2004, derisa ishin për pushime në Gaspe. Tetë vjet dhe 5.100 kilometra pas, mesazhi arriti. “Mendova se ishte vetëm një copë bërlloku… vërtet nuk mendoja diçka derisa e hapa”, theksoi Oisin për “Toronto Star” nga shtëpia e tij në brigjet lindore të Irlandës, në qytetin juglindor Waterford. Nënë e bir nxituan në shtëpi për ta mësuar përmbajtjen e mesazhit, duke e përdorur përkthyesin e “Google”. Data ishte e tëra që arritën ta kuptonin. Zbulimi befasues i Oisinit tani e ka bërë atë “të famshëm” në mesin e nxënësve të klasës dhe e nisi një kërkim për dy vajza, tani gra, të cilat thanë në mesazhin e tyre se ishin inspiruar nga një shou televiziv për të vendosur mesazhe në shishe. Shishja misterioze kishte tërhequr vëmendjen e medieve në të dy anët e Atlantikut. “Në rast se e gjeni shishen tonë, na thoni kur dhe si e keni gjetur atë. Po ashtu na thoni emrin tuaj, moshën dhe vendin e banimit. Për shembull: Paris, Miammi etj… Për të na kontaktuar na shkruani në email adresën: cheval-rouge95@hotmail.com”, shkruante në mesazh. Fatkeqësisht kjo adresë nuk është funksionale më. Mirëpo dy vajzat janë identifikuar si Charlaine Dalpé dhe Claudia Garneau, shkruan “Montreal Gazette”. Në mesazhin origjinal nga viti 2004 thuhet: “Tung, ne jemi dy vajza që e kishim idenë ta nisnim një shishe në det. Ne quhemi Charlaine dhe Claudia. Jemi 12 vjeç dhe jetojmë në Montreal. Jemi për udhëtim në Gaspésie, në fshatin Grande Vallée. Na lindi ideja të nisim një shishe në det, për shkak se e shikuam një shou televiziv për të rinj që vendosin mesazhe në shishe. Nëse e gjeni shishen tonë na thoni kur dhe si e keni gjetur atë. Na thoni po ashtu edhe emrin, moshën dhe vendin e banimit. Për shembull: Paris, Miami, etj … Për të kontaktuar me ne, na shkruani në: cheval-rouge95@hotmail.com”. Në rast se nuk keni internet, shkoni te ndonjë mik apo në ndonjë internet-kafe, ngase jemi shumë të interesuar të dimë kush e ka gjetur shishen. Charlaine dhe Claudia”. Aoife Millea tha se edhe pas gjithë këtyre vjetëve, shënimi, i cili ishte mbështjellë dhe ishte lidhur nga një fije floku, ishte krejtësisht i thatë dhe i shkruar prapa një harte të rajonit të Gaspes, prej ku dhe është nisur mesazhi. Millea tha po ashtu se i biri i saj është kureshtar të takojë vajzat, tani 20-vjeçare, që e shkruan mesazhin, të cilin ai planifikon ta vërë në kornizë.