Thursday, October 18, 2012

Tiranë, e zë gjumi me cigare ndezur, vdes nga asfiksia

Një pakujdesi teksa ishte shtrirë për të fjetur në mbrëmje dhe njëkohësisht pinte cigare, i ka kushtuar jetën një 24-vjeçari në Valias të Tiranës.
Viktima, sipas Policisë, është Zamir Arifi, nga Kukësi, banues në Valias, i cili dyshohet të ketë vdekur nga asfiksia. Burimet konfirmuan se të riun e ka zënë gjumi me cigaren e pashuar në dorë, e cila më pas ka rënë në krevat. Si rezultat ka nisur të dalë tym, i pashoqëruar me flakë të dukshme, gjë që ka sjellë tejmbushjen e dhomës së tij me tym dhe i ka shkaktuar vdekjen 24-vjeçarit. Vetëm në orët e para të mëngjesit, vëllai i viktimës, i cili flinte në katin e dytë të banesës prej 8 anëtarësh, ka vënë re erën e tymit dhe ka nxituar për t’i ardhur në ndihmë të vëllait. Me gjithë ndërhyrjen e të gjithë pjesëtarëve të familjes, Zamir Arifi nuk ka pasur shenja jete, pasi rrugët e tij të frymëmarrjes ishin bllokuar gjatë natës dhe ai kishte ndërruar jetë. Burime nga Policia thanë se në shtëpinë dykatëshe ku ndodhi ngjarja ndodheshin të gjithë pjesëtarët e familjes, por nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për ta shpëtuar nga vdekja të riun. Tragjedia në familje ndodhi pikërisht në ditën kur ata kishin një gëzim familjar, pasi do të fejohej motra e viktimës.