Friday, October 26, 2012

Egjipt, gazetarja franceze ngacmohet teksa po transmetonte live (video)

Gazetaria e kanalit “France 24”, Sonia Dridi, e cila po raportonte live në Kajro të Egjiptit është ngacmuar seksualisht. Vetë ajo ka treguar për agjencinë “AFP” se ishte rrethuar nga një turmë e përbërë kryesisht nga djem, të cilët kanë filluar ta preknin teksa ajo ishte në lidhje të drejtpërdrejt rreth orës 22:00 në sheshin “Tahrir”, Kajro.
“Jam mbërthyer nga të gjitha anët. Turma na kishte rrethuar, ishin dhjetëra njerëz dhe filluan prekjet”, ka dëshmuar ajo për kanalin “France 24”. “Pak më vonë e kuptova se dikush ma ç’kopsiti këmishën dhe e pash që ajo ishte e hapur. E shmanga më të keqen falë rripit të fortë që kisha dhe ndihmës së një miku”, ka treguar ajo për “AFP”-në. Pasi ishte gjendur në mesin e turmës, ku secili e kishte prekur nëpër trup, gazetarja ka rrëfyer se është strehuar në një restorant “fast-food” në sheshin “Tahrir”. “Ajo është shpëtuar nga kolegu i saj Ashraf Khalil, korrespondenti egjiptian për kanalin në anglisht të ‘France 24’ dhe nga dëshmitarë të tjerë”, thuhet në komunikatën e “France 24”, e cila thekson se gazetarët, jashtëzakonisht të tronditur, do të ngrenë padi kundër “X”-it. Deri më tani, gjatë rasteve të ngjashme, policia nuk ka arritur t’i arrestojë përgjegjësit. Shumë gra egjiptiane dhe të huaja ankohen për ngacmimet që u bëhen në rrugët e Kajros. Muajve të fundit janë shpeshtuar dëshmitë se në sheshin “Tahrir” po kryhen sulme seksuale, madje edhe dhunime, ndërkohë që autoritetet nuk kanë ndërmarrë kurrgjë. Në qershor, një grup burrash kanë sulmuar seksualisht shumë protestuese në rrugët e Kajros. Këto sulme janë bërë kryelajme në medie që kur gazetarja amerikane Lara Logan ka rrëfyer se është dhunuar në sheshin “Tahrir”, më 11 shkurt 2011, ditën e dorëheqjes së presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak. Në nëntor 2011, Caroline Sinz gazetare e “France 3” ishte sulmuar po ashtu seksualisht gjatë një proteste, për të cilën raportonte nga ky shesh i madh i kryeqytetit egjiptian. Pak para saj, një gazetare egjiptiane-amerikane kishte treguar se ishte sulmuar seksualisht nga ana e policëve. Ministrja franceze e Kulturës dhe Komunikimit, Aurélie Filippetti, ka shprehur të dielën “solidaritetin” e saj si dhe të qeverisë me Sonia Dridin, të cilën e ka kontaktuar. “Për fat të keq, thekson ministrja, sulmet ndaj gazetareve janë dëshmi e dhimbshme e situatës së tmerrshme të grave në disa rajone të botës. Guximi i tyre për të folur është edhe mënyra më e mirë që të përmirësohet situata edhe për të gjitha gratë e tjera”.