Wednesday, October 24, 2012

Njihuni me balenën e bardhë që imiton zërin e njeriut

UASHINGTON- Një balenë e bardhë, që ka jetuar për 30 vjet në një akuarium në San Diego, Kaliforni, ishte në gjendje të imitonte zërin e njeriut, bënë të ditur sot shkencëtarë, të cilët për herë të parë arritën të regjistronin këta tinguj dhe zhvilluan një analizë akustike të detajuar.
“Është e mrekullueshme sepse balenat zakonisht prodhojnë tinguj krejtësisht të ndryshëm dhe duhet të modifikojnë zërin e tyre për të riprodhuar tinguj, që përngjajnë me ato të njeriut”, deklaroi Sam Ridgway zyrtar i Fondacionit Kombëtar të Gjitarëve Detarë, autori i parë i këtij zbulimi i publikuar në revistën amerikane, “Current Biology”. “Këto përpjekje bëjnë të mendosh se ky gjitar i quajtur NOC, që ngordhi pesë vjet më parë, kërkonte të lidhej me njerëzit”, theksoi Ridgway. Gjithçka filloi në vitin 1984 kur shkencëtarët arritën të dëgjonin këta tinguj të pazakontë në akuariumin, ku jetonte balena e bardhë dhe disa delfinë. Dukej si një bisedë mes dy personave. Shkencëtarët arritën të përcaktonin se këta tinguj vinin nga NOC, kur një zhytës i cili punonte për akuariumin ku gjendej balena u ngjit në sipërfaqe duke pyetur se kush i kishte thënë të dilte nga akuariumi. NOC kishte jetuar me delfinët dhe balena të tjera të bardha dhe shpesh gjendej i rrethuar nga njerëzit. Raste balenash në gjendje të imitojnë zërin e njeriut ishte raportuar më parë. Por kjo është hera e parë që shkencëtarët kanë regjistruar tinguj të tillë.